Klubet, garuesit, trajnerët dhe gjyqtarët regjistrohen në Federatë përmes Zyrës Administrative të FBBFK-së. Kjo faqe përmbledh hapat kryesorë.
Kush mund të bëhet anëtar
Anëtarë të FBBFK-së janë klubet e bodybuildingut dhe fitnesit që janë të regjistruara si organizata joqeveritare në Republikën e Kosovës. Një klub bëhet anëtar i rregullt kur i plotëson kushtet e Statutit dhe të rregullores për regjistrim, dhe konsiderohet zyrtarisht i regjistruar pasi e miraton Kuvendi i Federatës.
Regjistrimi i një klubi të ri
Klubet që nuk kanë qenë kurrë anëtare, ose që kanë qenë pasive në 24 muajt e fundit, dorëzojnë:
- kërkesën për anëtarësim;
- kopjen e statutit të klubit;
- certifikatën e regjistrimit të klubit si organizatë;
- dëshminë e pagesës së regjistrimit.
Regjistrimi vjetor i klubit
Çdo klub duhet ta rinovojë regjistrimin çdo vit, nga 1 janari deri më 28 shkurt. Klubet dorëzojnë:
- dëshminë e pagesës së anëtarësisë vjetore dhe të regjistrimit të garuesve;
- listën e garuesve dhe anëtarëve (të paktën 5 anëtarë që marrin pjesë në të paktën tri gara zyrtare në vit);
- formularin për strukturën drejtuese të klubit (deri më 28 shkurt).
Klubi duhet ta njoftojë menjëherë Federatën me shkrim për çdo ndryshim në drejtim, trajnerë ose garues. Anëtarësia e klubit mbaron kur klubi çregjistrohet vetë, përjashtohet me vendim të Kuvendit ose shuhet.
Regjistrimi i garuesve
- Regjistrimin e parë të garuesit e bën klubi, gjatë gjithë vitit. Nxënësit mund të regjistrohen si garues nga mosha 12 vjeç.
- Për garuesin e mitur, kërkohet nënshkrimi i prindit ose kujdestarit ligjor. Nga mosha 18 vjeç, garuesi vendos vetë për kontratat sportive.
- Garuesi deklaron se pranon Statutin dhe rregulloret e FBBFK-së.
Kërkesës së parë i bashkëngjiten:
- dëshmia e shtetësisë;
- dy fotografi të garuesit;
- libreza e regjistrimit në klub, e plotësuar dhe e vërtetuar nga klubi;
- dëshmia e pagesës së regjistrimit.
Vazhdimi i regjistrimit për garuesit e vitit të kaluar bëhet vetëm nga 1 janari deri më 28 shkurt. Nëse regjistrimi nuk vazhdohet për një vit, garuesi bëhet “i lirë” dhe mund të regjistrohet në çdo klub.
Libreza e garuesit
Çdo garues i regjistruar merr librezën e garuesit, të lëshuar dhe të vërtetuar vetëm nga Federata. Ajo përmban fotografinë, të dhënat identifikuese, klubin dhe kontrollin mjekësor, jo më të vjetër se 12 muaj. Pa këto të dhëna libreza nuk është e vlefshme.
Ndërrimi i klubit (transferimi)
- Garuesi e zgjedh vetë klubin për të cilin garon.
- Ka dy afate kalimtare në vit: dimëror (1–31 janar) dhe veror (1–15 shtator).
- Garuesi pa kontratë kërkon me shkrim fletëçregjistrimin nga klubi i vet, jo më vonë se 15 ditë para afatit kalimtar. Klubi duhet të përgjigjet brenda 8 ditësh; nëse nuk përgjigjet, transferimi lejohet.
- Në parim, për transferim nuk paguhet dëmshpërblim, përveç kur është rënë dakord me kontratë ose ndërmjet klubeve.
- Federata njeh vetëm kontratat ndërmjet klubit dhe garuesit të vërtetuara nga avokati ose noteri.
- Për garat ekipore, një garues mund të ketë edhe regjistrim të dyfishtë për një klub tjetër, që rinovohet çdo vit.
Nëse klubi nuk e lëshon fletëçregjistrimin, garuesi mund të ankohet te Bordi Ekzekutiv, që vendos brenda 30 ditësh.
Trajnerët dhe gjyqtarët
Trajnerët dhe gjyqtarët regjistrohen sipas rregulloreve të komisioneve përkatëse të Federatës.